Telekomi i Kosovës ka dalë me komunikatë për problemet e shfaqura në operatorin Vala.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se në kuadër të aktiviteteve për zgjerimin e kapaciteteve për rrjetin 4G, pati një afektim të pjesshëm në platformat e tjera të shërbimeve të internetit 2G dhe 3G.
“Sigurisht, kjo krijoi shqetësime të arsyeshme te konsumatorët tanë, shqetësime të cilat janë adresuar dhe është punuar e po punohet pa u ndalur për tejkalimin e plotë të tyre”, njofton Telekomi.
“Nevojat e konsumatorëve tanë për shërbime të internetit janë në rritje të vazhdueshme. Për t’i përballuar këto kërkesa dhe të gjitha kërkesat tjera, aktualisht Telekomi ka hyrë në fazën e ndërrimit të platformave ekzistuese, të cilat si pasojë e mungesës së investimeve teknologjike prej mbi 8 vite, nuk kanë më kapacitet të mjaftueshëm për ta përballuar rritjen e kërkesave për shërbime të avancuara të internetit. Falë investimeve shumëmilionëshe për modernizim të rrjetit dhe platformave tona teknologjike, në këtë fazë po bëhen përpjekje që të rriten kapacitetet, ashtu që konsumatorët tanë të mund të shfrytëzojnë sa më mirë shërbimet tona përmes ofertave shumë të favorshme”, thuhej në njoftim.
