Një grua në Lipjan, ka kërkuar ndihmën e Policisë dje pasdite, e cila ka deklaruar se ka pasur konflikt me bashkëshortin, vjehrrën dhe kunatin e saj.
24-vjeçarja ka deklaruar se me kunatin dhe vjehrrën ka pasur vetëm konflikt verbal, ndërsa i shoqi muaj më parë dyshohet se e ka sulmuar edhe fizikisht.
Bazuar në dëshminë e saj, ka qenë e frikësuar që ta raportojë rastin ditën që ka ndodhur dhe e njëjta ka shpresuar se do përmirësohen raportet mes tyre.
Sipas viktimës, i shoqi e ka kërcënuar me jetë derisa ajo ishte për vizitë te familja e saj, duke i thënë se posa të kthehet në shtëpi do ta mbys.
Ajo nuk është ndjerë e sigurt të kthehet në shtëpinë ku bashkëjeton me bashkëshortin dhe ka vendosur që të shkojë te prindërit e saj.
Ndërkohë si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet ‘Dhunë në familje’.
