Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministri i Republikës se Kosovës, Besnik Bislimi takuan sot përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian.
Kryeministri Kurti theksoi që është i gatshëm për të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë në Bruksel ku do të diskutohej një sekuencim i drejtë, i balancuar dhe gjithëpërfshirës i zbatimit të Marrëveshjes Bazike.
Ai i informoi ambasadorët dhe zëvendësambasadorët e pranishëm për bisedën që ka pasur dje me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe me propozimin pesë pikësh për depërshkallëzim të plotë të situatës në katër komunat në veri të vendit.
-përmbushjen e ndjekjes penale dhe gjykimit e kriminelëve që sulmuan Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe gazetarët;
-ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve të grupeve të dhunshme kundër institucioneve legjitime në raport me të cilën do të mund të bëhej zvogëlimin i prezencës së Policisë në objektet komunale;
-vlerësimet e përbashkëta të sigurisë në mes Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it çdo pesëmbëdhjetë ditë për të garantuar një ambient të siguritë për të gjithë;
-koordinimin ndërmjet Qeverisë dhe të gjithë akterëve për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri, të cila duhet të organizohen në një atmosferë të lirë, demokratike dhe të papenguar liberale
-rikthimin e menjëhershëm në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, teksa ky i fundit siguron një plan të sekuencimit të drejtë dhe të balancuar të zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.
