Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se tre policët e kidnapuar sot brenda Kosovës nga forcat serbe duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht.
Këtë kidnapim, ajo e ka quajtur agresion nga ana e Serbisë.
“Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit. Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Presidentja kërkoi reagim të ashpër nga ndërkombëtarët për synimet e shtetit serb për ta destabilizuar rajonin.
“Policia e Kosovës ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët pa dallim, ndaj një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit”, tha ajo.
Në fund, e para e shtetit nënvizoi se institucionet në vend nuk ndalen së angazhuari kurrë për sundim të ligjit në Kosovë.
