Kurti: Po na befason heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se në vendin e ngjarjes ku janë kidnapuar tre policë të Kosovës kanë qenë edhe KFOR-i dhe Policia e Kosovës.

Ai tha se në vendngjarje janë gjetur gjurmë të çizmeve të huaja e në drejtim të Serbisë, teksa tha se është i befasuar me heshtjen e faktorëve ndërkombëtarë për tolerancën ndaj veprimeve të Serbisë.

“Në vendin e ngjarjes, kanë qenë KFOR-i e Policia e Kosovës. Aty janë gjetur gjurmët e çizmeve të huaja e në drejtim të Serbisë. Por, janë gjetur edhe prangat lidhëse të plastikës. Pra, si është e mundur që ata pretendojnë se janë arrestuar në Serbi, kur lidhëset e plastikës si pranga janë gjetur në vendin ku po themi ne, 1 kilometër brenda territorit të Kosovës”.

“Serbia s’ka ndryshuar në qëllime, synime e apetite. Nuk është se po na befason me sjelljen e saj, por ajo çka është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë e cila vazhdimisht kërkon pretekste për eskalim, e kur nuk ka atëherë është e gatshme dhe e aftë t’i krijojë ato”, tha Kurti.