Nëntë gra e padisin ish-komedianin Bill Cosby për abuzime seksuale

Nëntë gra e  kanë paditur komedianin Bill Cosby, duke e akuzuar atë për përdorimin e “fuqisë, famës dhe prestigjit të tij të madh” për t’i përdorur ato për sulme seksuale.

Gratë thonë se ish-aktori dhe komediani i drogoi dhe i sulmoi në shtëpi, dhoma të zhveshjes dhe hotele në Nevada në periudhën e viteve 1979 dhe 92.

Këto janë akuzat më të fundit  kundër ish-yllit 85-vjeçar, i cili gëzoi famë të madhe në vitet 1980 dhe 90 falë emisionit “The Cosby Show”.

Në vitin 2018, ai u burgos për drogë dhe ngacmim të një gruaje, por ky dënim u rrëzua teknikisht në vitin 2021.

Qershorin e vitit të kaluar, një juri në një gjyq civil vendosi se ai sulmoi seksualisht një adoleshente në rezidencën e Playboy në Los Angeles në vitin 1975 dhe i dha asaj 500,000 dollarë si dëmshpërblim.

Në fillim të këtij muaji, ish-modelja e Playboy Victoria Valentino e paditi atë, duke pretenduar se ai e përdhunoi atë në vitin 1969 pasi ajo kishte darkuar me të. Në total, më shumë se 60 gra kanë ngritur akuza kundër tij.

Disa nga personat e përfshirë në padinë e fundit kanë ngritur më herët akuza publike ndaj tij. Ato përfshijnë Lili Bernard, një ish-yll i ftuar i “Cosby Show”, dhe modelja Janice Dickinson, të cilat thonë se ai i drogoi dhe i përdhunoi.