Opozita e gatshme ta ndihmojë Qeverinë për tejkalimin e krizës

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, janë shprehur të gatshëm që ta përkrahin Qeverinë e Kosovës në procesin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend, por me kushtin që institucionet të jenë të bashkërenduara me aleatët ndërkombëtarë.

Nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kërkuar që fokus kryesor të kenë bashkërendimin me aleatët, me ç’rast thonë se ndihma nevojitet në proceset integruese.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, i konsideron ndërkombëtarët si garantues të shtetndërtimit të Kosovës.

Berisha thotë se PDK-ja e mbështet ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë, por që njëkohësisht kërkon bashkërendim me faktorin ndërkombëtar.