Luftanija ruse lëshon të shtëna paralajmëruese ndaj një anije mallrash në Detin e Zi

Një anije luftarake ruse e ka gjuajtur me armë automatike të dielën një anije mallrash me flamur Palau në jugperëndim të Detit të Zi, ndërsa po shkonte drejt Ukrainës, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.

Rusia muajin e kaluar e prishi një marrëveshje drithi të ndërmjetësuar nga OKB-ja, e cila siguronte Ukrainës që prodhimet e saja bujqësore t’i eksportojë nëpërmjet Detit të Zi.

Moska paralajmëroi se të gjitha anijet që dalin apo shkojnë drejt ujërave të Ukrainës do të konsiderohen si rrezik dhe se ekziston potenciali se ato përmbajnë armë.

Rusia tha në një deklaratë se anija e saj patrulluese Vasily Bykov kishte qëlluar me armë automatike në anijen Sukru Okan, pasi kapiteni i kësaj të fundit nuk iu përgjigj një kërkese për të ndaluar për një inspektim.

“Sukru Okan po bënte rrugën drejt portit ukrainas të Izmail”, tha Ministria e Mbrojtjes. Të dhënat e transportit Refinitiv treguan se anija po shkonte në veri drejt brigjeve të Bullgarisë.

“Për të ndaluar me forcë anijen, u hap zjarr nga armët automatike”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes, shkruan Reuters