Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot, në mënyrë elektronike, mbledhjen e radhës në të cilën ka ndarë mjete për tekste shkollore dhe materiale tjera për nxënësit.
Sipas njoftimit të Qeverisë 6,323,380 (gjashtë milionë e treqind e njëzetë e tre mijë e treqind e tetëdhjetë) euro u ndanë për subvencionimin e teksteve shkollore për klasat 1-5, dhe 6,617,340 (gjashtë milionë e gjashtëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e treqind e katërdhjetë) euro për subvencionimin e materialeve mësimore për klasat 1-9.
Ndryshe. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka hapur platformën për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore.
Sipas njoftimit nga MASHTI, mjetet do të dalin në xhirollogari nga fillimi i javës së ardhshme.
“Aplikimin për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore mund ta bëni në Platformën E-Kosova deri në fund të muajit shtator”, thuhet tutje në njoftimin e MASHTI-t.
Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008.
