Kina dëshiron të ndalojë veshjet që “lëndojnë ndjenjat e kombit”

Një projektligj që ndalon të folurën dhe veshjen “e dëmshme për shpirtin e popullit kinez” ka ndezur debat në Kinë.

Nëse ligji hyn në fuqi, personat e shpallur fajtorë mund të gjobiten ose burgosen, por propozimi nuk përcakton ende se çfarë përbën shkelje, raporton BBC.

Përdoruesit e mediave sociale dhe ekspertët ligjorë kanë bërë thirrje për më shumë qartësi.

Kina publikoi së fundmi një sërë ndryshimesh të propozuara në ligjet e saj të sigurisë publike – reformat e para në dekada.

Ligji i veshjeve ka tërhequr reagime të menjëhershme nga publiku – me shumë komentues online që e kritikojnë atë si të tepruar dhe absurd.

Klauzolat e diskutueshme thonë se njerëzit që veshin ose detyrojnë të tjerët të veshin veshje dhe simbole që “minojnë shpirtin ose lëndojnë ndjenjat e kombit kinez” mund të ndalohen deri në 15 ditë dhe të gjobiten deri në 680 dollarë.

Ata që krijojnë ose shpërndajnë artikuj ose fjalime që e bëjnë këtë, gjithashtu mund të përballen me të njëjtin ndëshkim.

Ndryshimet ligjore të propozuara ndalojnë gjithashtu “fyerjen, shpifjen apo cenimin e emrave të heronjve dhe martirëve vendas” si dhe vandalizmin e statujave të tyre përkujtimore.

Në internet, njerëzit vunë në dyshim se si zbatuesit e ligjit mund të përcaktonin në mënyrë të njëanshme kur “ndjenjat” e kombit “lëndohen”.

Ekspertët ligjorë në vend kanë kritikuar gjithashtu formulimin e paqartë të ligjit, duke thënë se ai mund të jetë i hapur për abuzim.