Luis Rubiales në gjykatën spanjolle për puthjen e futbollistes

Luis Rubiales ka hyrë në një gjykatë të Madridit për t’iu përgjigjur një ankese penale për puthjen e lojtares spanjolle Jenni Hermoso, disa ditë pasi dha dorëheqjen si kreu i federatës së futbollit të Spanjës.

Ai nuk tha asgjë teksa hyri në gjykatën kombëtare për t’u përballur me akuzat për sulm seksual dhe detyrim.

Rubiales, 46 vjeç, këmbëngul se kishte pëlqimin e futbollistes teksa ajo festoi fitoren e Spanjës në Kupën e Botës për femra.

Gjykata do të vendosë nëse çështja do të shkojë në gjyq.

Prokurorët e shtetit spanjoll kanë paraqitur zyrtarisht një kallëzim penal kundër ish-presidentit të Federatës së Futbollit (RFEF), i cili do të dëgjohet me dyer të mbyllura nga gjyqtari Francisco de Jorge.

Spanja fitoi Kupën e Botës për femra në Australi më 20 gusht, por fitorja e skuadrës është lënë në hije që atëherë nga veprimet e Rubialesit gjatë festimeve pas fishkëllimës së fundit.

Ai ka pohuar se kur e ka mbajtur kokën në duar dhe e ka puthur në buzë, ka qenë e ndërsjellë dhe konsensuale. Rubiales përfundimisht dha dorëheqje të dielën si president i federatës, duke deklaruar: “Unë kam besim në të vërtetën dhe do të bëj gjithçka në fuqinë time që ajo të mbizotërojë”.

Zonja Hermoso, 33 vjeçare, thotë se ajo nuk pranoi për t’u puthur. Prokurorët paraqitën ankesën e saj fillestare për sulm seksual dhe shtoi një të detyrimit, duke argumentuar se ai i kishte bërë presion sulmueses së Spanjës për t’i dalë në mbrojtje mes zhurmës në ditët pas puthjes.