Londër: 17-vjeçari akuzohet për vrasjen e 15-vjeçares që e goditi me thikë

Një 17-vjeçar është akuzuar për vrasjen e një vajze 15-vjeçare, e cila u godit me thikë pranë një stacioni autobusi teksa shkonte për në shkollë.

Elianne Andam vdiq të mërkurën pranë qendrës tregtare Whitgift në Croydon, në jug të Londrës, gjatë orës së pikut të mëngjesit, raporton Skynews, transmeton Klan Kosova.

Bëhet e ditur se policia iu përgjigj incidentit në Wellesley Road brenda dy minutave, por ajo u shpall e vdekur në vendngjarje rreth orës 9:20 të mëngjesit.

Adoleshenti i akuzuar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye ligjore, do të paraqitet në gjykatën e të rinjve, në Gjykatën e Magjistraturës Croydon, më vonë gjatë ditës së sotme.

Ai është akuzuar për vrasje dhe posedim të një thike.

Të enjten, familja e Elianne tha se “zemrat e tyre janë thyer” pas vdekjes së saj.

“Elianne ishte drita e jetës sonë. Ajo ishte e ndritshme dhe e qeshur, me shumë miq që të gjithë e adhuronin”, thanë ata në një deklaratë.

“Ajo ishte vetëm 15 vjeçe dhe kishte gjithë jetën përpara, me shpresa dhe ëndrra për të ardhmen.

“Të gjitha ato ëndrra tani janë shkatërruar. Jetët tona janë shkatërruar, së bashku me atë të familjes sonë më të gjerë”.