Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka numëruar sukseset në sektorin e bujqësisë.
Kurti tha se është shënuar rekord i të mbjellave që prej pasluftës.
“Në krahasim me dy vite më parë, sipërfaqet e të mbjellave me drithëra janë rritur për gati 2/3. Sepse përkrahjen me subvencione për bujqit dhe fermerët e kemi rritur deri në 216%”, tha Kurti.
Ai tha se vlera e mbështetjes financiare është 214 milionë euro.
“Për herë të parë, kemi subvencionuar naftën dhe plehun bujqësor. Sigurimeve bujqësore u janë shtuar edhe gjashtë kultura të reja, kurse primin e sigurimit e kemi subvencionuar për 75%”, shtoi ai.
Shefi i qeverisë shtoi se aplikimi për subvencione dhe grante është bërë më i lehtë.
“Keqpërdorimet, padrejtësitë dhe korrupsioni janë ndalur. Gjasat për të përfituar bujqit dhe fermerët meritorë janë rritur. Për herë të parë janë aprovuar 50% të aplikimeve për grante, teksa numri i fermerëve të mbështetur çdo vit është mbi 30 mijë”, tha ai.

