Televizioni i njohur francez, “France24”, i ka kushtuar një artikull kampionit të Superligës së Kosovës në futboll, Ballkani.
“France24” tha se banorët e Suharekës janë përfshirë nga ethet e futbollit pas të bëmave të Ballkanit, për të cilin shkroi edhe për suksesin e tij në garat e UEFA-s.
Në artikull përmendet edhe fakti që stadiumi i Suharekës nuk i plotëson kërkesat e UEFA-s, ndërsa ndeshjet si vendas duhet t’i luajnë në “Fadil Vokrri”.
Për këtë, biznesmeni Faton Bytyqi i ka thënë AFP-së se tifozët suharekas po mobilizohen për udhëtim në “Fadil Vokrri” ku Ballkani do të ndeshet me Astanan dhe një fitore nga kjo ndeshje do t’ia rriste shanset klubit suharekas për të kaluar në fazën e eliminimit të Uefa Conference League.
“Asnjë nga klubet tona nuk e ka arritur këtë deri më tani. Kjo është arsyeja pse asnjë ulëse nuk duhet të jetë bosh. Stadiumi i Prishtinës duhet të jetë plot”, tha ai, shkruan “France24”, transmeton Klankosova.tv.
Për suksesin e Ballkanit në garat e UEFA-s omptimistë janë shprehur edhe vetë lojtarët, ku mbrojtësi i djathtë, Armend Thaqi, ka thënë se fitorja ndaj Dinamos së Zagrebit iu ka dhënë atyre një motivim më të madh.
