UEFA zyrtarizon kandidaturat për organizimin e dy Evropianëve të ardhshëm, Turqia kandidat i fortë

UEFA ka bërë zyrtare kandidaturat e vendeve të cilat kërkojnë organizimin e Kampioneve Europiane të futbollit në dy edicionet e ardhshme, 2028 dhe 2032. Evenimente ku Turqia është gati të sfidojë emrat më të mëdhenj të kontinentit.

Shteti turk ka paraqitur fillimisht dosjen për edicionin e vitit 2028, ku si kundërshtarë do të ketë Britaninë e Madhe dhe Irlandën. Britanikët kanë paraqitur një kandidaturë në bllok, duke propozuar që ndeshjet të luhen në Angli, Skoci, Uells, Irlandë dhe Irlandën e Veriut, me impiante shumë cilësore në dispozicion.

Ndërkohë, për atë të vitit 2032, Turqia ka përsëritur kërkesën, duke u vënë këtë herë përballë Italisë, e cila synon prej kohësh që të kthejë një kompeticion të rëndësishëm futbolli në vendin e saj.

UEFA ka marrë dosjet në shqyrtim dhe do të analizojë gjithçka në muajt në vijim, me votimin dhe vendimin që do të dalë nga Komiteti Ekzekutiv i saj në tetorin e këtij viti, kur do të caktohen vendet pritëse të të dy aktiviteteve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *