Përmes ndryshimeve statutare të cilat janë në diskutim, është propozuar largimi i emrit “Hasan Prishtina” nga Universiteti i Prishtinës. Kjo justifikohet me faktin se vendosja e emrit u bë shumë vite pas themelimit të universitetit, dhe në arenën ndërkombëtare jo rrallë herë është ngatërruar si institucion i ri.
Por argumente të tilla nuk qëndrojnë sipas themeluesëve të fondacionit “Hasan Prishtina”, Mehmet Prishtinës dhe Valon Raci-t.
Gjatë emisionit “Kolonë me Shoqën Edonë”, pasardhës i Hasan Prishtinës, Mehmeti ka thënë se inciativa ka filluar nga vetë rektori i këtij Universiteti, Qerim Qerimi, gjersa shton se arsyet e tij janë të pa baza e të pa vërteta.
“Elementi thelbësor i shtetësisë së Kosovës është Universiteti i Prishtinës, kurse vetë figura e Hasan Prishtinës është brendi që e personofikon shtetësinë. Inciativa ka dalë nga vetë rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, emërtim ky që është realizuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë në vitin 2012 dhe tani kanë dalur idetë për një lloj reforme, e cila është filluar mbrapsht nga rektori Qerim Qerimi dhe ne e kundërshtojmë rrept sepse arsyet e tij janë të pa baza, të pa vërteta dhe kanë një motivacion politik që vazhdojnë të heshtin”, tha ai.
Mehmeti shton se rektori i Univeristetit “Hasan Prishtina”, nuk dëshiron përballje me ta, për shkak se arsyetimet e tij nuk qëndrojnë, derisa shton se i njejti u’a ka frikën.
“Kjo heshtje na brendos të gjithëve, dikush thotë se është në fazën fillestare, duke u matur pulsi. Të matet pulsi në një mënyrë kaq të dëmshme të një figure të tillë e cila është e pranueshme, për kombin është e dëmshme dhe denigruese… Rektori është duke hargjuar kohë dhe duke kërkuar aleat te njerëz që nuk identifikohen me figurën, që nuk njihen për vlerë kombëtare, ai ka frikë të na pret neve, sepse e di që nuk ka arsye”, theksoi Mehmeti.
Ai shton se janë duke pritur reagime nga shtetit, por që deri tani nuk ka, mirëpo studentët janë ata që kanë reaguar ndër të parët.
“Tani ai është duke u ballafaquar me kundërshtimin e rreptë të grupeve dhe unionit të ndryshme të studentëve, të cilët janë të parët që kanë reaguar dhe ne si fondacion vetëm i’u kemo bashkangjitur kësaj inciative dhe e mbështesim në të gjitha format”, shprehet ai.
E lidhur me arsyetimet se ka probleme me ID-të e Universitetit dhe skopus, Mehmeti ka kundërshtuar njê gjë të tillë. Sipas tij, këto janë vetëm arsyetime, ndërsa problemet qëndrojnë brenda mureve të Universitetit.
“Arsyetime se ka probleme me rangime në skopus, këtu nuk ka probleme, këto janë vetëm arsyetime të pabaza, sepse problemet janë brenda në Universitet, janë me nivelin akademik, plagjiaturat, me probleme të tjera banale të cilat dihen botërisht dhe aty duhet të punohet dhe jo me prekjen e një figure, e cila është bërthamë dhe element i shtetit të Kosovës dhe themelimi i shtetit shqiptar”, potencoi ai.
Po ashtu, pasaktësi ka shkaktuar edhe fakti që një Universitet në Mitrovicë që është në gjuhen serbe pretendon emrin Universiteti i Prishtinës, që ka krijuar konfuzitet dhe probleme ndër tjera edhe në listimin e punimeve, e mbi këtë çështje ka komentuar Valon Raci, themeluesi i fondacionit “Hasan Prishtina”.
“Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka numër ID të veçantë të regjistrimit në skopus dhe numri i tij është i ndryshëm prej Universitetit të Mitrovicës Veriore i cili është i regjistruar në skopus me numër ID-në e tij,Universiteti i Mitovicës dhe ai i Prishtinës, duhet të jenë të lirë nga skopusi… Universiteti “Hasan Prishtina”, duhet ta cekim, është e dhimbshme por është në kuadër të Serbisë i regjistruar në skopus. Institucionet duhet të bëjnë më shumë që të njihet Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, nga skopus-i … në kuadër të kornizes ligjore të Republikës së Kosovës”, ka potencuar ai.
Ai tregon se kërkesë për një ballafaqim me rektorin ka pasur edhe ai, mirëpo i njejti nuk është përgjigjur.
“Ne ju kemi drejtuar me kërkesë si fondacion, kemi emailin të cilin e kemi drejtuar para se të marrim çdo hap kemi kërkuar të takohemi me ta rreth kësaj çështje… Ne kemi dashur t’i ofrojmë argumentet tona lidhur me këtë inciativë, por ai nuk ka pranuar dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, tha Raci.
