Pezullimi nga “Defender Europe ‘23″, gjë për të cilën u bënë dy vite përgatitje. Çka humbi Kosova?

Pezullimi nga aktiviteti “Defender Europe ‘23’ erdhi si ndëshkimi i parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ndërmorën kundër Kosovës, siç u tha, injorimin e këshillave të tyre për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.

Në këtë zonë u bënë më shumë se një javë që banorët lokalë janë duke protestuar kundër kryetarëve shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Më këtë pezullim Kosova humbi mundësinë e eksperiencës që ushtarët, nënoficerët dhe oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës do kishin mundësi ta mërrnin nga shtetet e NATO-s, shkruan Drejt.info.

Por, në cilën fazë ishte “Defender Europe ‘23’?

Në kohën kur Kosova u njoftua për suspendimin e pjesëmarrjes nga SHBA-ja ishin afër fundit. Ky ishte viti i dytë që Kosova merrte pjesë në këtë stërvitje shumëkombëshe dhe që ishte nikoqire e saj.

Stërvitjet “Defender Europe ‘23” nisën më 21 maj në Kosovë dhe ishte e paraparë të zgjasnin deri më 2 qershor.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës tha për suspendimin e pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjen “Defender Europe ‘23” se është arritur objektivi që kishte, shkruan Drejt.info.

Sipas një postimi të ministrit Armend Mehaj në Facebook, më 30 maj, 1.348 ushtarakët e FSK-së treguan profesionalizëm të lartë në mesin e 25 shteteve pjesëmarrëse të këtij ushtrimi, si dhe gatishmëri për të shërbyer përkrah aleatëve në çdo mision të NATO-s, “me qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, rajon dhe më gjerë”.

Në këtë ushtrim marrin pjesë 25 shtete, përfshirë SHBA-në, Francën, Gjermaninë, Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar, si dhe shtete tjera anëtare dhe joanëtare të NATO-s. Ndërsa numri i përgjithshëm i ushtarëve pjesëmarrës në këtë ushtrim ishte rreth 20 mijë.

Stërvitja “Defender Europe ‘23” po mbahet në disa lokacione në të gjithë Evropën, ndërsa në Kosovë u zhvillua në dy lokacione, në Babaj të Bokës dhe në Aeroportin e Gjakovës.

Stërvitja “Defender Europe 23”, e cila udhëhiqet nga SHBA-ja, ka qëllim krijimin e gatishmërisë dhe ndërveprueshmërinë mes Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe vendeve partnere.

Stërvitja “Defender Europe 23” thuhet se është projektuar për të demonstruar aftësitë e ushtrisë së SHBA-së, për të dislokuar me shpejtësi trupa dhe pajisje të fuqishme luftarake, për të siguruar aleatët dhe për të penguar këdo që kërcënon paqen në Evropë, si dhe për të mbrojtur kontinentin nga agresioni.

A do të vazhdojë mbështetja Amerikane për ushtrinë e Kosovës?

Pas suspendimit të FSK-së nga pjesëmarrja në “Defender Europe 23” ka shqetësime të shumta nëse do të vazhdojë edhe më tej mbështetja amerikane për ushtrinë e Kosovës, shkruan Drejt.info.

Ambasadori Hovenier tha se SHBA-ja po shqyrton edhe masa të tjera për Kosovën dhe se, aktualisht, “nuk ka entuziazëm” për ta ndihmuar atë në përpjekjet e saj për të fituar njohje më të madhe ndërkombëtare ose për të përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO./Drejt.info/G.J/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *