Sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të mbajtur në Dubrovnik, titulluar “Kroacia Evropiane: Retrospektivë dhe Perspektivë” (European Croatia: Retrospective & Prospective).
Atje, kryeministri Kurti ishte folës në panel, ku prezantoi para të pranishmëve progresin demokratik dhe ekonomik të Republikës së Kosovës, si dhe foli për zhvillimet e fundit dhe situatën aktuale në katër komunat në veri të vendit, duke dhënë një shpjegim kronologjik të ngjarjeve.
Ai u shpreh i lumtur që ndodhet në Kroaci, vend ky mik dhe aleat i Kosovës dhe me të cilën gëzojmë marrëdhënie të shkëlqyeshme dypalëshe.
Kroacinë e shohim si shembull i mirë i anëtarësimit të një shteti të rajonit në Bashkimin Evropian dhe NATO, u shpreh kryeministri.
