Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se me kidnapimin e policëve, Serbia dëshmoi edhe njëherë brutalitetin, agresivitetin dhe qëllimin për destabilizim.
“Dita e djeshme presidentja e Kosovës mbajti fjalimin historik në Parlamentin Evropian, duke prezantuar Kosovën me ngjyrat dhe mënyrën më të mirë të mundshme. Në të njëjtën ditë presidenti i Serbisë është krah për krahë më ambasadorin e Rusisë duke festuar ditën e Rusisë. Në të njëjtën ditë Kosova vazhdon masën e paraburgimit për një kriminel që ka sulmuar KFOR, qytetarët, vazhdon masat e paraburgimit për të, në të njëjtën ditë Serbia hyn brenda territorit të Kosovës, cenon sovranitetin dhe arreston 3 policë kufitar të Kosovës.”, deklaroi Kusari-Lila.
Sipas saj, Kuvendi i ka për detyrë të mbrojë sovranitetin, integritetin dhe të respektojë kushtetutshmërinë, duke e dënuar aktet siç tha ajo barbare si ajo e kidnapimit të policëve.
