Rama, Kurtit: Duhet të fokusohet për të zgjidhur situatën e krijuar me Serbinë

Këtë herë me zë dhe figurë, Edi Rama kërkoi për së 2-ti lirimin e menjëhershëm të 3 policëve të Kosovës. Edhe pse nuk mban një qëndrim të qartë nëse janë rrëmbyer apo arrestuar nga forcat serbe, kryeministri i Shqipërisë, në konferencë për shtyp me homologun e Hungarisë, tha se po punon në disa kanale për kthimin e tyre në shtëpi, duke mos përjashtuar komunikimin direkt me presidentin Aleksandër Vuçiç.

“Ata duhet të kthehen menjëherë në shtëpi. Nuk kanë bërë vepër penale. Nëse nuk kthehen deri sot mbajtja e tyre është e pajustifikueshme”, tha Rama.

I pyetur nëse po punon për një dritare tjetër komunikimi me Albin Kurtin, Edi Rama u përgjigj se kryeministri i Kosovës duhet të fokusohet te mundësia që i kanë vendosur në tryezë aleatët ndërkombëtarë për të zgjidhur situatën e krijuar me Serbinë, duke nxjerrë i pari lajmin se në tryezën e shefit të Qeverisë në Prishtinë ka mbërritur tashmë një propozim.