Guvernatori i Havait, Josh Green, ka thënë se operacionet e shpëtim- kërkimit po vazhdojnë dhe se kjo është katastrofa më e madhe natyrore në këtë shtet, nga tsunami i vitit 1961 kur patën vdekur 61 persona.
Green konfirmoi se më shumë se 1 mijë struktura ndërtuese janë shkatërruar nga zjarret, të cilat nuk janë shuar ende ne rajonin e quajtur Lahina, e cila, sipas tij, me ndonjë përjashtim të vogël, është djegur e gjitha.
Prefekti i zonës së Mauit tha se numri i viktimave do të mund të kishte qenë më i vogël sikur qytetarët të kishin ndjekur këshillat e autoriteteve. Ai bëri të ditur se të gjithëve u ishte kërkuar të strehoheshin në vende të caktuara, të sigurta, por nga frika e kaosi ata nuk kishin dëgjuar dhe kanë tentuar të ikin.
Një banore e zonës që një ditë më parë erdhi ta shohë gjendjen e dyqanit të saj të suvenireve tha se kishte parë njerëz të djegur për së gjalli në makinat e tyre.
Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka shpallur gjendjen në Maui si fatkeqësi madhore dhe ka premtuar se të gjithë ata që humbën të afërm ose prona, do të ndihmohen menjëherë.
