Qasja kritike dhe deklarimet e pushtetit aktual për mos punë apo afërsi të prokurorëve dhe gjyqtarëve me opozitën e tanishme, po konsiderohen të dëmshme nga njohës të së drejtës kushtetuese dhe monitorues të sistemit të drejtësisë. Sipas tyre, deklarimet janë ndërhyrje në drejtësi.
Kritikat e pushtetarëve po cilësohen të dëmshme e ndërhyrje në drejtësi prej ekspertëve të kushtetutës dhe monitoruesve të sistemit të drejtësisë.
Për profesorin e së drejtës kushtetuese, ish-nënkryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, qëndrimet e pushtetit janë të gabuara. Ai thotë se Qeveria e Parlamenti duhet të bashkëpunojnë, por në asnjë formë nuk duhet të ndërhyjnë në punën e sistemit të drejtësisë.
“Qeveria nuk ka të drejtë të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë. Po ashtu edhe parlamenti. Kjo formë e ndërhyrjes jep imazh negativ të një qeverisjeje. Veç tjerash konsiderohet se kështu shkelen edhe të drejtat dhe liritë e njeriut. Kështu që, është e pa precedent që të ndërhyhet, shto faktin këtu se prokurorët dhe gjyqtarët janë të trajnuar edhe nga USAID-i amerikan dhe kanë një kredibilitet se si duhet të vendosin”, tha ai.
Kritikat e ditëve të fundit të pushtetit karshi Prokurorisë dhe gjykatave po konsiderohen cenim i pavarësisë së tyre edhe nga shoqëria civile.
Një gjë të tillë e thotë për Radio Kosovën edhe Eranda Zeka, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Qeveria e Kosovës assesi nuk duhet të ndërmarrë veprime me të cilat mund të ndërhyjë në punën e gjyqësorit. Pastaj po vendosen standarde të dyfishta rreth asaj se nëse po hetohen apo ngrihen aktakuza ndaj akterëve të kësaj qeveria e po kemi interferime të tilla në gjyqësor, por, në rastet kur kemi aktakuza ndaj ish-qeveritarëve nuk kemi interferime të tilla nga ana e qeverisë”, tha ajo.
Ndaj deklaratave të qeveritarëve e deputetëve të Vetëvendosjes, kanë reaguar ditë më parë nga Këshilli Prokurorial dhe Shoqata e Prokurorëve. Sipas tyre, sulmi e linçimi i prokurorëve përbën shkelje të patolerueshme dhe vë në rrezik serioz edhe hetimet.
