Çeliku është një treg miliardësh dhe kërkesa është në rritje. Por prodhimi i tij kërkon sasi të jashtëzakonshme energjie. A do t’i braktisin koncernet Europën për shkak të çmimeve të larta të energjisë?
Çeliku ende prodhohet si para 150 vjetësh. Në furrnalta tradicionale përpunohet në çelik rreth 70% e hekurit. Gjatë këtij procesi çlirohet një sasi e madhe dioksid karboni – rreth 2 tonë dioksid karbonik. Një alternativë do të ishte përdorimi i hidrogjenit ekologjik në vend të qymyrit. Furrnaltat do të zëvendësoheshin kështu nga impiante miqësore ndaj klimës si për shembull nga furra elektrike industriale që nxehen nga të ashtuquajturit harqet elektrikë. Si pasojë në vend të gazit karbonik do të çliroheshin avuj normalë të ujit dhe emetimet do të reduktoheshin kështu deri në 80%. Çeliku që përftohet në këtë formë quhet çelik ekologjik.
Kina ka lënë pas Europën dhe Amerikën
Por kjo është e ardhmja, ende furrnaltat nxehen me qymyr. Për të kthyer mineralin e hekurit në hekur duhen temperatura më shumë se 2000 gradë celcius. Një konsum i jashtëzakonshëm energjie! E pikërisht energjia është edhe faktori kryesor që rrit shpenzimet e prodhuesve të çelikut. Gjigantët e prodhimit të çelikut deri në vitin 2000 gjendeshin në Europë dhe Amerikën Veriore. Por sot Kina e ka kaluar ndërkohë perëndimin dhe prodhon 54% të çelikut botëror. Edhe India e ka dyfishuar prodhimin e çelikut. Në krye të gjigantëve të prodhimit qëndron koncerni shtetëror kinez – China Baovu Group. I ndjekur nga Arcelor Mittal me seli në Europë. Pastaj renditen 5 koncerne të tjera nga Kina, një nga Japonia e Koreja e Jugut – Në vendin e 10 renditet Tata Steel nga India.
Çmimet e larta të energjisë dëmtojnë prodhuesit europianë
Prodhimi i çelikut neutral ndaj klimës po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. China Baovu Group dëshiron të prodhoj çelik ekologjik dhe deri në vitin 2050 të jetë neutral ndaj klimës. Edhe ArcelorMittal ka bërë të njëjtin njoftim. Po koncerni europian ka një problem: koncerni me seli në Europë vuan nga çmimet e larta të energjisë. Në vjeshtë ai duhej të reduktonte prodhimin në katër fabrika në Europë. Pasojë e luftës në Ukrainë.
Flitet se koncerni do të investojë diku tjetër, aty ku energjia nuk është e shtrenjtë, në Amerikën Veriore ose Jugore. Në Brazil ArcelorMittal ka kohë që është prezent. Ky vend është i pasur në minerale edhe atë të hekurit. Por më e rëndësishmja: Mbi 80% e rrymës elektrike vjen nga energjitë e rigjenerueshme. Brazili ka energjinë e erës më të lirë në Amerikë, një kusht ideal për të prodhuar hidrogjenin ekologjik. ArcelorMittal planifikon të investojë në një park gjigant eolik dhe të mbulojë kështu 40% të nevojave të veta për rrymë elektrike në vend deri në vitin 2030.
