Kosova i kërkoi të shtunë Serbisë të largojë trupat nga kufiri i saj, pasi Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin për “mobilizimin ushtarak serb pranë kufirit me Kosovën”.
Qeveria e Kosovës tha se ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian “në lidhje me këtë kërcënim serioz nga Serbia dhe reagimi i Shteteve të Bashkuara ndaj kësaj qasje agresive të Serbisë ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë”.
Situata u tensionua si pasojë e sulmit terrorist që ndodhi të dielën e 24 shtatorit në Banjskë, kur Policia e Kosovës u përlesh me një grup serbësh të armatosur dhe për pasojë u vra rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku si dhe tre sulmues u vranë.
“I bëjmë thirrje presidentit (Aleksandar) Vuçiç dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën”, thuhet në një komunikatë të Qeverisë së Kosovës.
Qeveria më tej theksoi se “pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës”.
Për situatën e krijuar të premten reagoi edhe zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë një grumbullim të madh ushtarak të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, që përfshin artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara, të cilin ai e quajti “të pashembullt”.
I bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri, që të kontribuojë në uljen e tensioneve”, tha ai.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, tha po ashtu se grumbullimi i forcave ushtarake serbe në afërsi të kufirit me Kosovën është shumë shqetësues dhe duhet të ndalet menjëherë.
Dorëzimi i Vuçiqit dhe tërheqja e turpave
Pas presionit të madh ndërkombëtar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u dorëzua duke thënë se do të tërheq forcat ushtarake të vendosura pranë kufirit me Kosovën.
Vuçiq tha sot se nuk ka ndërmend të urdhërojë ushtrinë që të kalojë vendkalimet kufitare me Kosovën.
