Tahiri kërkon që nesër në Kuvend të votohet rezoluta për pagat

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se nesër në debatin parlamentar të propozuar nga ata në Kuvendin e Kosovës do të propozojnë që të ndahet buxhet për rritje të koeficientit të pagave në minimum 129 euro.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të votojnë nesër rezolutën e propozuar nga ata.

“Është momenti i fundit që gjithë deputetët, pozitë e opozitë, me votën e tyre t’i japin mbështetje rezolutës së Aleancës për rritjen e pagave! Varfëria ka emër dhe adresë. Nga muaji në muaj qytetarët tanë po shohin se si artikujve bazik iu luajnë çmimet për 10%, 20% apo 50%. Për jetën e qytetarëve tanë, kjo  nënkupton ulje e menjëhershme e konsumit dhe e standardit të tyre jetësor. Për shumicën kjo gjeneron presion maksimal”.

“Për shumë, kjo është thyerje dhe zhgënjim. Janë shumë familje që nuk arrijnë as të mbyllin muajin. Të tjerët detyrohen t’i kufizojnë shërbimet për fëmijët e tyre. Të moshuarit varen edhe më shumë nga përkrahja familjare e sociale. Prindërit nuk ia arrijnë t’ia dalin dhe as ta balancojnë nevojën për më shumë angazhim për pak më shumë të hyra, me nevojën për më shumë përkushtim ndaj jetës familjare. Të rinjtë ikin duke mos parë perspektivë zhvillimi dhe standardi për ta.  Në debatin parlamentar të ftuar nga ne, do të propozojmë që të ndahet buxhet për rritje të koeficientit në minimum 129 euro”, ka thënë Tahiri.