Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë tha të mërkurën se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicë të Veriut për “largimin” e institucioneve serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, e as në përputhje me kërkesat e saj për mosndërmarrjen e veprime që mund ta përshkallëzojnë gjendjen.
Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut – një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” objektin e tyre brenda tri ditësh.
Në përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ambasada amerikane tha më 23 gusht se SHBA-ja e ka këshilluar Qeverinë e Kosovës, përfshirë edhe kryetarët e komunave në veri, për t’u përmbajtur nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që shton tensionet.
“Ne vlerësojmë se këto veprime, të cilat nuk janë bashkërenduar me bashkësinë ndërkombëtare, janë në kundërshtim me kërkesat tona për shmangien e veprimeve të cilat mund t’i përshkallëzojnë tensionet, apo mund të perceptohen si përshkallëzuese”, tha Ambasada amerikane në Kosovë.
Inspektorati komunal tha se nuk i është ofruar ndonjë dokumentacion në bazë të të cilit institucionet e Serbisë mund ta shfrytëzojnë atë objekt, dhe se institucionet e Serbisë ishin njoftuar paraprakisht se duhet të përgatisin dhe paraqesin dokumente ose kontratë për shfrytëzimin e objektit.
Në ndërtesën e kontestuar janë të vendosura katër institucione që financohen nga Qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit, njoftoi se “kryetarët jolegjitimë kanë shkuar një hap më tej dhe duan të na i marrin edhe objektet”.
Ata i ka kundërshtuar ashpër popullata lokale serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet e prillit, nga të cilat kanë dalë ata kryetarë.
Banorët lokalë ka gati tre muaj që protestojnë para objekteve komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, duke kërkuar nga Policia e Kosovës që të tërhiqet dhe nga kryetarët shqiptarë që të mos dalin në punë.
Në këto tri komuna, deri në fund të majit, kanë funksionuar edhe komunat sipas sistemit serb.
Vetëm në Mitrovicën e Veriut ekziston një ndërtesë e veçantë komunale që funksionon nën sistemin e Kosovës dhe atje nuk ka pasur protesta.
