Arrestimi i kryeshefit të KEK’ut, deputeti i VV’së i cytet kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka bërë një reagim të papritur pas arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqit.

Në reagimin e tij, Rexhaj i është kapur kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, me vendim të të cilit u urdhërua arrestimi i drejtorit të KEK-ut, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Si për ta cilësuar si të gabuar arrestimin e Krasniqit, Rexhaj ka pyetur se kush është Blerim Isufaj “të cilin nuk e duan për kryeprokuror asnjëri nga tre krerët shtetëror”.

Ai tha se Isufaj ka një siklet të madh, e mbështetje po aq të madhe.

“Kush është ky Blerim Isufaj që nuk e duan për kryeprokuror asnjëri nga tre krerët shtetëror (Presidentja, Kryeministri e Kryeparlamentari) e megjithatë don që me çdo kusht e për çfarëdo çmimi të bëhet Kryeprokuror?! Ai ka siklet të madh diku e mbështetje jo të vogël prej ndokujt”, ka shkruar Rexhaj në Facebook.

Ka thuajse një vit prej kur Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka rekomanduar Blerim Isufajn për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Pavarësisht këmbënguljes, Presidentja Osmani ende nuk e ka dekretuar të njëjtin. Nga Presidenca kanë thënë se Osmani do të merret me këtë procedurë në fund të muajit, kur të përfundojnë të gjitha afatet për parashtrimin e ankesave.

Me vendim të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës ka prangosur të mërkurën kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

Sipas Prokurorisë, ai po dyshohet për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *