Arrestimi i Mujecit: VV-ja nis procedurë disiplinore, mblidhet urgjentisht

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka bërë të ditur se Komisioni Disiplinor i LV-së do të mbajë mbledhje urgjente për të trajtuar rastin e arrestimit të asamblistit Besnik Mujecit, si i dyshuar për transportim të substancave narkotike nga Kosova në Shqipëri.

Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se pas mbledhjes do të kumtohet edhe vendimi lidhur me këtë rast.

“Me të marrë informacionin kemi iniciuar menjëherë procedurën disiplinore me ç’rast Komisioni Disiplinor i LV-së do të mbajë mbledhje urgjente për të trajtuar rastin në fjalë. Pas mbledhjes do t’ju njoftojmë mbi vendimin”, ka shkruar Manxhuka.

Kujtojmë se sot janë arrestuar pesë persona në Shqipëri, pasi që për të njëjtit dyshohet se kanë transportuar lëndë narkotike nga Kosova në Tiranë.

TV Klan bën me dije se të prangosurit transportonin lëndë narkotike nga Kosova në Tiranë dhe më pas e shpërndanin në plazhe.

Mësohet se policia u ka sekuestruar 10 mijë doza ekstazi. Të arrestuarit janë: Mithat Ramadani, Besnik Mujeci, Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdia.