Policia e Kosovës ka arrestuar Nagip Krasniqin, kryeshefi ekzekutiv në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Arrestimi është kryer me vendim të Prokurorisë Speciale, pasi i njëjti akuzohet për disa vepra penale, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, bën të ditur komunikata.
Njëherit bëhet e ditur se Krimet Ekonomike bastisën sot zyrën e Krasniqit në Prishtinë, si dhe dy banesa në pronësi të tij, ku kanë sekuestruar dokumente të ndryshme që lidhen me rastin.
“Po ashtu, Njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”.
“Me aktvendim të prokurorit të shtetit i pandehuri me inicialet N.K., është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet tutje.
Parimisht, Krasniqi kishte refuzuar të intervistohej nga Policia e Kosovës, me arsyetimin se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.
Siç u raportua në media, bastisjet po bëhen për shkak të keqpërdorimit të një tenderi për remontin e Bllokun A5 të Termocentralit “Kosova A”.
