Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian “ia kanë bërë bajat” kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, një kërkesë ambicioze.
Sanchez ka kërkuar që tre nga gjuhët rajonale të vendit, katalanishtja, galicishtja dhe baskishtja, të emërtohen si gjuhë zyrtare të BE-së. Por gjatë një takimi ministror në Bruksel, apeli nuk u mbështet dhe është e paqartë se kur çështja mund të rikthehet për diskutim.
Përcaktimi si gjuhë e BE-së do të nënkuptonte përkthimin e çdo akti ligjor, duke përfshirë publikimin ditor të gazetës zyrtare, në të tri gjuhët dhe interpretimin në kohë reale gjatë debateve në Këshillin e BE-së dhe Parlamentin Evropian.
Kërkesa spanjolle lidhet drejtpërdrejt me përpjekjen e Sanchezit për të siguruar votat e nevojshme pas rezultateve jopërfundimtare të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 23 korrik, raporton “Euronews”, transmeton KlanKosova.tv.
As partia Socialiste e Sanchezit dhe as opozita Konservatore nuk fituan mjaft vende për të formuar shumicën parlamentare më vete dhe tani varen nga mbështetja e partive më të vogla, të cilat kanë bërë kërkesa të ndryshme në këmbim të miratimit të tyre.
Sipas Kushtetutës spanjolle, e miratuar në vitin 1978, të treja gjuhët konsiderohen si bashkëzyrtare në rajonet ku fliten dhe për këtë arsye gëzojnë të njëjtin pozitë ligjore si gjuha spanjolle. /Klankosova.tv
