Bebe Rexha u bë protagonistja kryesore e mediave ndërkombëtare gjatë këtyre ditëve.
Shkas për këtë u bë një sulm nga një pjesëmarrës në koncertin e saj të së dielës në New York, i cili hodhi telefonin e tij në drejtim të saj.
Si rrjedhojë, telefoni përfundoi në fytyrën e 33-vjeçares, duke i shkaktuar plagë, për të cilat ajo u detyrua të marrë tretman të menjëhershëm mjekësor.
Të mërkurën në mbrëmje, Rexha ka mbajtur koncert në “The Fillmore” në Filadelfia në kuadër të turneut të saj “Best F**n Night Of My Life”, i cili përfshin koncerte fillimisht në Amerikën e Veriut, ndërsa më pas edhe në Evropë.
E teksa është ngjitur në skenë me një kostum të verdhë dhe plot shkëlqim, këngëtarja me origjinë shqiptare ka performuar me syrin e fashuar, i cili është dëmtuar nga goditja që mori në koncertin e fundit.
Nga pamjet që kanë qarkulluar në rrjetet sociale, vërehet se atmosfera ka qenë mjaft e mirë dhe se publiku e ka inkurajuar vazhdimisht me duartrokitje këngëtaren, e cila e mori veten shpejt nga ndodhia e fundit.
