Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se opozita sot fillon qëndresën në Kuvend deri në fitoren e Kushtetutës.
Ai po ashtu theksoi se parlamenti është shndërruar në një institucion personal të kryeministrit shqiptar Edi Ramës.
Berisha renditi disa nisma të opozitës për komisione hetimore parlamentare të cilat sipas tij janë bllokuar nga mazhoranca.
Kreu i PD-së tha se opozita kërkon të respektohen të drejtat e opozitës në Parlament, transmeton Drejt.info.
“Deputetët e opozitës fillojnë sot qëndresën e tyre permanente. Sepse ky parlament është shndërruar në një institucion personal të Edit, Edi Ramës dhe Lindës së Parlamentit që e drejton këtë institucion në mënyrën më amorale, më antikushtetuese. Unë ju rikujtoj se ne deputetët që përfaqësojmë qytetarët shqiptarë që kanë votuar kundër kësaj qeverie, kemi dorëzuar në parlament gjatë këtyre 2 viteve, 31 ligje dhe rezoluta, të cilat Edi Rama me Lindën e tij i mban në sirtar dhe nuk lejon që ato të vijnë të shqyrtohen, diskutohen në Parlament”, tha Berisha.
“Së dyti, në emrin tuaj, të qytetarëve opozitarë, deputetët e opozitës në mënyrë të vazhdueshme kërkojnë në komisione paraqitjen e ministrave dhe ata me urdhër të Edi Ramës refuzojnë të paraqiten duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit.” shtoi ai.
“Së treti, pas komisionit hetimor parlamentar të djegësave në të cilën Edi Rama, ministrat dhe një pjesë e madhe e nomeklaturës së krimit dilte i implikuar, deputetëve të opozitës u është hequr e drejta e krijimit të komisioneve parlamentare në kundërshtim me Kushtetutën, janë kthyer deri sot 5 nisma, 5 kërkesa për krijimin e komisioneve hetimore parlamentare. U refuzua kërkesa e komisionit hetimor parlamentar për McGonigal. Një nga veprimtaritë më të shëmtuara më kriminale në të cilën Edi Rama, Dorian Duçka, Charles McGonigal dhe Agron Neza kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal. Ata kanë abuzuar me pushtetet e tyre dhe janë vërsulur në manipulim dosjesh dhe shpifjesh për opozitën. Kanë instaluar në Shqipëri sistemin e gjobvënies ndaj biznesmenëve të vendit, ndërkohë që McGonigal ishte në detyrë shef i kundërzbulimit të FBI në SHBA”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike.
