Bislimi: Drafti i statutit të Asociacionit duhet t’i plotësojë pesë kritere

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se vetë-menaxhimi i komunitetit serb në Kosovë nuk nënkupton Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Bislimi tha se po zbatohet marrëveshja bazë si dhe aneksi, e cila kërkon që të dyja palët t’i marrin obligimet e veta.

Ai shtoi që procesi për vetë-menaxhimin e komunitetit serb në Kosovë nuk mund të bëhet nëse pala serbe nuk i zbaton obligimet që ka.

“Kjo nuk nënkupton themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për arsye se ende nuk dihet se si do të duket struktura e vetë-menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Ne tani e zbatojmë marrëveshjen bazike dhe aneksin implementues, nuk zbatojmë qëndrime të politikanëve në Bruksel apo gjetkë jashtë Kosovës dhe marrëveshja bazike, si dhe aneksi implementues, kërkojnë që të dy palët të marrin obligime dhe zbatimit të ndjekë një sekuencim që nënkupton se nuk mundet njëra palë të marrë benefitet e marrëveshjes dhe pastaj të vendoset se në ç’masë dëshiron të kryejë pjesën e vet të obligimeve. Kjo nënkupton që edhe nëse fillojnë bisedimet për strukturën menaxhuese, apo të vetë-menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, përderisa nuk ka gatishmëri nga pala serbe që ajo t’i zbatojë obligimet e marra, ky proces nuk mund të përfundojë suksesshëm sepse do të jetë e pamundur që pala kosovare të kryejë pjesën e vet të obligimeve për aq kohë sa zotëri Vuçiqi publikisht deklaron se nuk e sheh marrëveshjen në tërësi si obligative por si një lloj menyje ku ai mund të zgjedhë se cilat pjesë dëshiron t’i zbatojë e cilat jo”, tha Bislimi në një intervistë për Zërin e Amerikës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *