Britania sanksionon individë rusë të lidhur me arrestimin e Kara-Murza

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka sanksionuar një gjykatës rus dhe dy individë të tjerë që thotë se janë të lidhur me arrestimin e kritikut të burgosur të Kremlinit, Vladimir Kara-Murza.

“Mbretëria e Bashkuar po sanksionon Elena Lenskaya – një gjyqtare që miratoi arrestimin e Vladimir Kara-Murza, së bashku me Denis Kolesnikov dhe Andrei Zadachin – hetues të përfshirë në arrestimin e zotit Kara-Murza”, thuhet në një deklaratë, raporton CNN.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit.

“Trajtimi dhe dënimi i Rusisë ndaj Vladimir Kara-Murza-s tregon edhe një herë përbuzjen e plotë të këtij shteti për të drejtat themelore të njeriut”, tha në deklaratë Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.

“Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë Kara-Murza-në dhe familjen e tij. I bëj thirrje Rusisë që ta lirojë menjëherë dhe pa kushte”, shtoi Cleverly.

Të hënën, Kara-Murza u dënua me 25 vjet burg për akuzat e tradhtisë së lartë dhe akuza të tjera.

Kjo erdhi pasi ai dënoi publikisht luftën e Moskës në Ukrainë. Ai u arrestua fillimisht një vit më parë, disa orë pas një interviste me CNN në të cilën kritikoi “regjimin e vrasësve” të presidentit rus Vladimir Putin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *