Gjykata Themelore në Prizren i ka dënuar me nga 12 vjet burgim dy të akuzuarit me inicialet I.B dhe A.G, lidhur me shpërthimin në Zhur në vitin 2020, ku kishte mbetur i vrarë një polic dhe janë lënduar tre policë tjerë si dhe një fëmijë.
Sipas njoftimit të gjykatës, të njëjtit janë dënuar për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Në fillim të muajit janar 2020, në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari V.Ç. (i dënuar në vitin 2021 shih SHËNIMIN) e pastaj të njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve në dhomën e katit të dytë të shtëpisë të të akuzuarit I.B., në fshatin Zhur, Komuna e Prizrenit dhe pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 28 janar 2020, rreth orës 20:00, në kontakt me këtë mjet, i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtari policor S.Th, kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – të dëmtuarit A.M., J.H., dhe A.B:, si dhe fëmija S.B., kanë pësuar lëndime të rënda trupore”.
“Këso dore në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356, paragrafi 5 (me pasoja vdekjen e një personi), dhe paragrafi 4 (me pasoja lëndime të rënda të më shumë personave) dhe 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje bëhet e ditur se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar përafërsisht si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT me peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.
“Këso dore në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës. Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarit I.B., e GJYKON: DËNIM UNIK ME BURGIM në kohëzgjatje prej 12 vitesh (në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 28.01.2020. Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e Aktgjykimit”.
“Të akuzuarin A.G., e GJYKON: DËNIM ME BURGIM në kohëzgjatje prej 12 vitesh. Të njëjti në ditën e shpalljes së Aktgjykimit, i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak, dhe i caktohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e Aktgjykimit”, thuhet tutje në njoftimin e gjykatës.
