Deputetja britanike i bën jehonë takimit të Osmanit me Sunakun

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme e Britanisë së Madhe, njëherit deputetja Alicia Kearns, është shprehur e kënaqur pas takimit që presidentja e vendit, Vjosa Osmani pati me kryeministrin britanik, Rishi Sunak.

Ajo përmendi faktin se Britania e Madhe ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës.

“Ne ishim një nga vendet e para që njohëm pavarësinë e Kosovës dhe si mik i Kosovës duhet të përqafojmë rolin tonë të vazhdueshëm si paqeruajtës në të gjitha forumet”, tha Kearns, transmeton Drejt.

Kearns ditë më parë i ka dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës për situatën e krijuar në veri të vendit, duke thënë se faktorët ndërkombëtarë “duhet të ndalojnë para se të sulmojnë zyrtarët e zgjedhur në mënyrë demokratike që të marrin zyrat e tyre në veri të Kosovës”.

Ajo tha se në veri të Kosovës, bandat serbe “po paguhen dhe po armatosen nga Beogradi”, teksa rishpërndau artikullin e New York Times në lidhje me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Inkurajoj këdo që ndjek ngjarjet në Kosovë të lexojë artikullin e NYT për Vuçiqin dhe lidhjet e tij me grupet e krimit të organizuar dhe përdorimin e bandave për t’i realizuar interesat e tij”, tha Kearns.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *