Drejtoresha e SOS Fshatrave tregon për sfidat dhe punën: Kemi vuajtur dhe ne atë se çfarë fëmijët e kanë kaluar”

“Shumë shpesh e kemi vuajtur dhe ne atë se çfarë fëmijët e kanë kaluar”, tha  drejtoresha e SOS Fshatrave të fëmijëve, Nezahat Salihu, gjatë emisionit “N’kolon me Shoqen”.
Ajo tutje ka ndarë përvojat e saj nga jeta si dhe ka dhënë detaje lidhur me punën dhe fëmijët e SOS Fshatrave, gjersa ka shtuar se dhimbja më e madhe e këtyre fëmijëve është në kohë festash, ku secili e ka mendjen tek familjarët, ndonëse shumë prej tyre e dinë prejardhjen e tyre biologjike,
“Shumë shpesh e kemi vuajtur dhe ne atë se çfarë fëmijët e kanë kaluar, sepse kur i ke në familje është e vështirë ta shohësh fëmijun tënd se si reagon në situata të ndryshme. Kur kemi momente festash, ata tërë kohën e kanë vëmendjen tek familjarët e tyre. Një pjesë e tyre i kanë humbur familjarët, por çdo herë fëmijët tanë i mbajnë kontaktet me familjen biologjike. Ata shkojnë për vizita ose vijnë t’i vizitojnë… Të gjithë fëmijët që janë aty, e dijnë se kë e kanë familje dhe prej nga e kanë prejardhjen. Ajo nuk mund t’i mohohet dhe është e drejtë e secilit fëmijë që ta dijë”, potencoi Salihu.
Salihu thotë se njëra prej synimeve të kësaj qendre, është mbështetja e fëmijëve, gjersa shton se kjo qendër po punon edhe në tri lokacione për parandalimin e braktisjes së fëmijëve.

“Ne i marrim fëmijët qysh të vegjël dhe i mbështesim derisa të shohim se ata mund të vazhdojnë jetën vet. Kur arrijnë moshën madhore dhe kanë dëshirë për t’u arsimuar, ne jemi aty për t’i mbështetur si secili prind, i cili do ta mbështeste fëmijën e tyre. Ne punojmë shumë edhe në parandalim të braktisjes… Ne punojmë në tri lokacione: Prishtinë, FushëKosovë dhe Graçanicë”, shtoi tutje ajo.

Ajo thekson se kjo punë mbetet sfiduese, mirëpo nuk i mungojnë as emocionet e mira, derisa bënë të ditur se në këtë qendër janë 39 fëmijë si dhe tetë familje,

“Të punosh në SOS fshatrat me fëmijët, është një sfidë, por në anën tjetër është dhe një kënaqësi, sepse kur punon në SOS fshatrat e fëmijëve, nuk ke një punë të zakonshme, por je duke punuar për një familje të madhe që që ne e quajmë dhe çdo moment që ne e kalojmë aty, nuk është kontribut për ndonjë gjë, por është kontribut për familjen tonë….Momentalisht i kemi 39 fëmijë që janë të vendosur tek SOS familjet… Në një familje janë 5 fëmijë. Tani jemi tetë familje dhe 39 fëmijë…. Kemi dhe të rinjë që kanë dalur në gjysmë pavarësim, për arsye se ne nuk i largojmë fëmjët nga projektet tona pasi mbushin moshën 18-të vjeçare, sepse ne e dim se në këtë moshë jo të gjithë janë të pjekur, qoftë emocionalisht apo fizikisht, për ta vazhduar jetën vet.

Salihu thotë se edhe pasi ata të largohen nga qendra, asnjëherë nuk largohem nga njëri-tjetri, por që kontaktet dhe afërsia mes tyre vazhdojnë të mbesin. Ajo tregoi edhe njërën nga rastet për të cilën ndjehet krenare.

“Ne nuk ndahemi asnjëherë nga ata, por as ata nga ne. Ne kemi rreth 30-të fëmijë të cilët kanë dalur prej projektit tonë dhe akoma mbajmë kontakte. Ata tashmë janë të rritur, të martuar, janë bërë prindër, mirëpo çdo herë jemi në kontakt, madje kur ata gjenë personin e tyre të jetës, fillimisht ata vijnë tek ne për ta njoftuar me ne dhe ne ndjehemi shumë krenar”, tha ajo.

 

Linku për ta shikuar emisionin e plotë: https://fb.watch/l33H2R8G-A/