Përkundër faktit që ndër vite janë shënuar përparime në disa faktorë si reforma në politikën tatimore, Kosova vazhdon të jetë sfidë për tërheqjen e investimeve të mëdha, e sidomos të atyre nga diaspora. Ekspert e ekonomisë vlerësojnë se qeveria duhet të krijojë strategji për t’i riorientuar investimet e diasporës, në veçanti në procesin e prodhimit.
“Nga të gjitha qeveritë vazhdimisht ka pas një trajtim gati të njëjtë të investitorëve të huaj pa i dalluar ata nga diaspora. Ajo çka duhet të bëje shteti është që të shoh që në ofertën për investitorët e huaj, të ketë një dritare të veçantë komunikimi për diasporën edhe për mbajte të kontakteve dhe raporteve me investitorët e diasporës”, thotë Zeka.
Qeveria duhet të bëjë një reformë të politikës fiskale për investimet e diasporës, t’i liroj nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe nga akciza. 90 për qind e mjeteve të diasporës shkojnë në patundshmëri dhe një pjesë shumë e vogël e tyre është në procesin e prodhimit, thotë për Radio Kosovën, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
“Pastaj kanë shumë barriera e të cilat nuk i kanë në asnjë vend ku investojnë, p.sh jemi në vitin 2023 dhe ende ata detyrohen që TVSH-në, ta paguan në avancë, dhe kjo nuk është diskriminim vetëm ndaj diasporës, por për të gjithë”.
Një raport i fundit i organizatës GERMIN, për diasporën e Kosovës dhe rolin e saj në mes krizave të shumta, thekson se duhet të krijohen mundësi të qëndrueshme dhe të qarta investimi për diasporën, pasi shumica e remitancave aktualisht po përdoren vetëm për konsum.
