Fushata propaganduese kundër Kosovës nga ana e Serbisë vazhdon në çdo vend ku Serbisë i jepet mundësia. Nga njohës të zhvillimeve politike në vend vlerësohet se kjo fushatë është bërë edhe më agresive, në kohën kur Kosova gjendet nën masat e BE-së pas tensioneve në veri të Kosovës.
Në këtë drejtim, Bashkimi Evropian po kritikohet për mosveprim për pengimin e Serbisë teksa nuk po respektohen marrëveshjet e dizajnuara nga vetë Bashkimi Evropian.
Serbia dhe zyrtarët e lartë të këtij shteti vazhdojnë me diskursin e njëjtë kërcënues e propagandues ndaj Kosovës. Pas darkës joformale të thirrur nga kryeministri grek në Athinë ditë më parë , ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Greqia dhe Ukraina nuk duhet ta njohin Kosovën.
Një sinjal tjetër në kuadër të kësaj darke ishte edhe takimi i presidentit të Serbisë, Vuçiq, me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenski, shtet ky i cili kohën e fundit po flitet se ka gjasë ta njohë Kosovën.
E pikërisht kundër kësaj, eurodeputetja Viola von Cramon tha se takimi i Vuçiqit dhe Zelenskyt, mund të jetë zhvilluar për një marrëveshje mbi armët në këmbim që Ukraina të mos e njoh pavarësinë e Kosovës.
Në lidhje me këtë, ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla ka thënë se Serbia vazhdon me avazin e vjetër të lobimit kundër Kosovës, në çdo hapësirë që i jepet.
“Ne e dimë se sa agresive është kampanja e Serbisë dhe Rusisë për të penguar njohje të reja dhe për të krijuar çnjohje të Kosovës me shtete të ndryshme, prandaj ne asnjë prej shteteve me të cilat bisedojmë nuk e vejmë publikisht para sfidave të tilla…”, ka thënë Donika Gërvalla, ministre e MPJD-së.
