Gërvalla i shkarkoi drejtorët që s’dinin gjuhë të huaja, i emëroi të privilegjuarit e saj që po ua paguan kursin elementar

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz ka thënë se mosnjohja e gjuhëve të huaja ka qenë arsyeja për shkarkimin e disa drejtorëve të departamenteve në MPJD dhe transferimin e tyre në institucione të tjera, mes tyre edhe diplomati i karrierës, Agron Maloku i cili nga pozita e drejtorit të Departamentit për diplomaci ekonomike në MPJD u transferua në Ministrinë e Shëndetësisë.

Por, prapë në vend të tij, Gërvalla-Schwarz e ka caktuar një zyrtar i cili së fundmi ka nisur kursin bazik për gjuhë angleze, shkruan Demokracia.com.

“Kemi pasur shumë probleme. Që nga drejtorët të cilët kanë qenë në krye të departamenteve të MPJD-së, një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk kanë përmbushur as kushtet ligjore për të qenë drejtor i një departamenti. Kushti që më së shpeshti e kemi hasur që është shkelur se një drejtor në kuadër të një departamenti në kuadër të MPJD-së, duhet të flas një gjuhë të huaj. Ka qenë hendek dhe hendikep shumë i madh. Prandaj jam detyruar që të liroj nga detyra disa nga drejtorët të cilët janë akomoduar, transferuar në institucione të tjera në nivel horizonatal dhe këtë nuk e bënë MPJD dhe këtë e bënë MPBA”, ka thënë Gërvalla para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Demokracia.com ka raportuar sot se MPJD i ka privilegjuar disa diplomatë për t’ua mësuar njohuritë bazike në gjuhën angleze. Udhëheqësit e departamenteve në MPJD, kryesisht staf i ish-Ministrisë së Diasporës, po kryejnë kurse për ta mësuar “Present Perfect” (koha e tashme e kryer) dhe “Past Simple” (e kryera e thjeshtë).

Demokracia.com ka siguruar disa shkëmbime e-mailesh, ku diplomatët e privilegjuar figurojnë të jenë Ragip Zejnullahu, udhëheqës i Departamentit për Shërbime të Përgjithshme, Besim Berisha, udhëheqës i Divizionit për Planifikim të Politikave, Hamdi Berbatovci, zyrtar në MPJD, Vigan Berisha, zyrtar përgjegjës për sinjalizim, Elbasane Berisha-Kryeziu, zyrtare në MPJD, etj.

Përveç “Present Perfect” dhe “Past Simple”, diplomatët e privilegjuar po sfidohen edhe me “Present Simple (të tashmen) dhe “Present Continuous” (e tashmja e vazhduar). /Demokracia.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *