Gjakovë: Burg e gjobë të pandehurit, i shkoi të dëmtuarit te dera e shtëpisë dhe shtiu me armë zjarri

Është dënuar me 2 vjet burgim dhe 1000 euro gjobë i pandehuri M.G i cili ishte akuzuar për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Gjykata Themelore në Gjakovë thotë se i pandehuri akuzohet se në vitin 2018 në Gjakovë, me qëllim frikësimi të palës së dëmtuar, në prani dhe afërsi të bashkëshortes dhe fëmijëve të të dëmtuarit, kishte shtënë me armë zjarri.

“Me datën 05 qershor 2018, në Gjakovë, saktësisht në shtëpinë e të dëmtuarit L. L., me dashje dhe me qellim kërcënimi dhe frikësimi kishte përdorur armë, në atë mënyrë që i pandehuri më parë kishte një mosmarrëveshje me të dëmtuarin, për shkak të kontestit gjyqësor të cilin e kishte bashkëshortja e të pandehurit me ndërmarrjen ku i dëmtuari ishte përfaqësues ligjor. Në natën kritike rreth orës 20:00, pasi që i dëmtuari ka pranuar një thirrje telefonike, e që është prezantuar si M. G., i cili e ka pyetur të dëmtuarin, ‘ku je’ dhe i dëmtuari iu kishte përgjigjur në fillim se ‘nuk po të njoh’ e më pas i pandehuri M. G, i thotë ‘do të më njohësh’, ashtu që pas 10 minutash, aty rreth orës 20:10, i pandehuri me qëllim kërcënimi apo frikësimi shkon tek shtëpia e të dëmtuarit, troket në derën e hyrjes. Aty del bashkëshortja e të dëmtuarit së bashku me fëmijët e tyre, i pandehuri fillon me të shara dhe duke i thënë ‘ku është L. he nenën ja q….’, në ato momente i pandehuri, në shenjë nervoze dhe mllefi nga brezi nxjerr revolen e tipit TT prodhim ZU, dhe nga një afërsi prej rreth 1.5-2 metra, derisa ishte në shkallën e dytë të hyrjes së shtëpisë, pikërisht përballë derës hyrëse me dashje ka shtënë një herë duke goditur mbi pjesën e epërme të derës së hyrjes, në anën e majtë të derës përballë të pandehurit”, thotë Gjykata.

Me këto veprime, Gjykata thotë se i pandehuri ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”