Haradinaj: Lajm i mirë lirimi i tre policëve, por kjo s’nënkupton që kjo ngjarje të konsiderohet e mbyllur

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka përshëndetur lirimin e tre policëve kosovarë, që u rrëmbyen nga Serbia më 14 qershor në veri të vendit.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, tha se ky është një lajm i mirë, por që nuk nënkupton që kjo ngjarje të konsiderohet e mbyllur.

Sipas tij, as Vuçiqi e as Kurti nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre, që çoi në rrëmbimin dhe paraburgimin e policëve.

“Lirimi i tre policëve të Kosovës është lajm i mirë, para së gjithash për familjet e tyre por edhe për Kosovën, por kjo nuk nënkupton që kjo ngjarje mund të konsiderohet e mbyllur vetëm me lirimin e tyre. As Presidenti i Serbisë e as Kryeministri i Kosovës, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre, e cila çoi në rrëmbimin e policëve dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj për më shumë se dhjetë ditë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj tha se Policia e Kosovës nuk duhet të paguajë çmim për veprimet e papërgjegjshme e kalkuluese politike të regjimit në Serbi, apo të veprimeve të papërgjegjshme të qeverisë në Prishtinë, e cila çoi në rrëmbimin e policëve të Kosovës dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj, për më shumë se dhjetë ditë.

Ai shtoi se lirimi i tyre është bërë i mundur vetëm falë ndërhyrjes së diplomacisë amerikane.

“I gjithë falënderimi dhe mirënjohja ynë shkon për ta (ShBA-në)”, ka përfunduar ai.