Haradinaj: Qeveria po na ngul thikën pas shpine me veteranët – dhuna mund të përshkallëzohet edhe jashtë kuvendit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria po ua ngul thikë pas shpine duke thënë se po i përmbysë luftëtarët e lirisë.

Haradinaj tha se zbardhja, sipas tij, e koordinimit të fshehtë të përfaqësuesve të kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, me armiqtë e shtetit të Kosovës, për të përmbysur luftëtarët e lirisë, është thikë pas shpine.

“Thikë pas shpine është edhe prishja e marrëdhënieve me aleatët e Kosovës, BE dhe SHBA, që rezultoi me përjashtimin e Kosovës nga “Defender 23”, duke e komplikuar tej mase aspiratën e Kosovës për anëtarësim në strukturat euro-atlantike”.

“Tërheqja e tij nga veriu, me një vonesë të pashpjegueshme dhe vetëm pasi që Kosova është futur nën sanksione të BE-së dhe të SHBA-së, duke i shkaktuar kështu një dëm të pariparueshëm vendit, nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç si një politikë antishtetërore e antikombëtare”, tha Haradinaj, transmeton Klankosova.tv.

Ai komentoi edhe ngjarjet e djeshme në kuvend, duke thënë se dhuna e shpërfaqur është alarm se situata mund të përshkallëzohet jo vetëm në kuvend por edhe jashtë tij.

“Kosova nuk mund të qëndrojë e qetë, në kohën kur Qeveria e vendit, na e ngulë thikë pas shpine aty ku na dhemb më së shumti, në lidhjen më të shenjtë të Kosovës, me NATO-n, Amerikën dhe me kategoritë e lirisë”.

“Do të jemi të pakompromis dhe më të vendosur se kurrë në mbrojtje të interesave të shtetit e të qytetarit, aspiratës sonë për anëtarësim në NATO, në ruajtjen e miqësisë me aleatët tanë, Amerikën dhe BE e në mbrojtje të vlerave të lirisë sonë”, tha ai.