Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar që kryetarët e rinj të komunave veriore të Kosovës të lejohen t’i kryejnë punët e tyre ditore pa policë.
Duke iu referuar disa ministrave që kanë vizituar kryetarët e rinjë, Haziri ka thënë se të njëjtit po dëmtojnë progresin dhe partneritetin e vendit.
“Sa i përket ultimatumit të Listës Serbe, më 1 qershor kryetarët vazhdojnë punët ditore. Deri në një marrëveshje, ata do të mbulojnë vakumin institucional pa legjitimitet por legal. Lind dielli prapë, punën e vazhdojnë në kafene. Ndërsa për disa ministra vizitorë, mos u sillni si liberatorë të serbëve të Kosovës në veri se jeni duke e dëmtuar shtetin, progresin e këtij vendi dhe partneritetin. Lejoni ata kryetarë legalë e pa legjimitet që të shkojnë në punë ditore pa policë e liberatorë-ministra, se jeni duke i dëmtuar në ditët e para të punës”, shkroi ai.
