Zbatimi i rregullores së BE-së, e cila parasheh heqjen e vizave për kosovarët, ka filluar sot në të gjithë Zonën Schengen.
Drejtor i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka shkruar se autoritetet kufitare të Bashkimit Evropian do të fillojnë nga sot përgatitjet e nevojshme për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë në Zonën Schengen nga 1 janari i vitit 2024.
“Nga sot fillon zbatimi i Rregullores së BE-së 2023/850. Me fjalë të tjera nga sot liberalizimi i vizave për Kosovën është ligj i aplikueshëm në të gjithë zonën Shengen”, ka shkruar Shasha.
Parlamenti Evropian miratoi më 18 prill 2023 vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje përmbyllen.
Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.
Ndërkaq, një ditë më vonë, më 19 prill, u nënshkrua akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.
