IKD: Vendimet për mbylljen e rrugëve në Prishtinë të shoqërohen me konsultime publike dhe arsyetim ligjor

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar kundrejt  vendimit të Kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, për mbylljen e qarkullimit të mjeteve motorike në një pjesë të rrugëve “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha” si dhe në rrugët të cilat kalojnë nëpër parkun e Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare.

Vendimin i cili pritet të hyjë në fuqi nga 1 shtatori,  IKD-ja e ka vlerësuar si në shkelje të dispozitave duke e bërë kështu të paligjshëm.

“Këto reforma nuk duhet të jenë pa arsyetim ligjor në atë mënyrë që të cenojnë të drejtat e qytetarëve.Ky vendim nuk është hartuar në përputhje me paragrafin 1 të nenit 47 të LPPA, ku shprehimisht thuhet se akti administrativ i shkruar përmban: 1.1. pjesën hyrëse, […], 1.2. pjesën urdhëruese (dispozitivin), […] 1.3. pjesën arsyetuese (arsyetimin), […] 1.4. pjesën përmbyllëse, që tregon kohën e hyrjes në fuqi të aktit, informatat për mjetet juridike, përfshirë organin publik apo gjykatën ku paraqitet mjeti juridik administrativ apo gjyqësor, formën e mjetit, afatin përkatës dhe mënyrën e llogaritjes së tij (këshillën juridike)”, thuhet në kumtesë.

Pikë tjetër ku thuhet se është bërë shkelje nga Komuna gjatë hartimit, është mos përfshirja e qytetarëve gjatë vendimmarrjes së projektit.

“Konsultimet publike duhet të jenë reale, në atë mënyrë që të marrin parasysh kërkesat e qytetarëve dhe ti përshtatin ato me reformat që synohet të ndërmerren. Në rastet kur merren vendime të kësaj natyre, Komuna e Prishtinës duhet të zhvillojë konsultime publike kualitative, në atë mënyrë që vendimi ti merr parasysh interesat e qytetarëve dhe mos t’i cenojë të drejtat e tyre”.

Bazë këtyre pikave ankuese IKD, në njoftim I ka rekomanduar Komunës së Prishtinës që të anuloj vendimin për këtë projekt dhe në planet e radhës të zhvillojë fillimisht konsultime publike me Prishtinasit.