Gjykata Themelore në Pejë, e ka aprovuar kërkesëpadinë e mjekut specialist në Repartin e Psikiatrisë Muhamet Halitaj, për anulimin e vendimit të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe kthimin në vendin e punës si drejtor Mjekësor në Spital, i cili ishte duke mbajtur atë pozitë deri tek incidenti nga punëtorët e spitalit, ku dyshohet se një foshnje të pajetë e kishin futur në rrobalarëse bashkë me çarçafët e spitalit.
Vendimin në fjalë e ka marrë më 16 qershor 2023, gjyqtarja e çëshjtes juridiko-kontestimore, Ganimete Puka.
Sipas vendimit, gjyqtarja Puka ka aprovuar në tërësi padinë e paditësit Halitaj për anulim të vendimit të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë mbi shkarkimin dhe kthimin në vendin e punës.
Sipas vendimit të siguruar thuhet se është vërtetuar se vendimi i drejtorit ekzekutiv të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, i datës 27 dhjetor 2022, mbi shkarkimin e paditësit nga pozita e drejtorit Mjekësor si dhe vendimi i Komisionit për Zgjedhjen e Kontesteve dhe Ankesave të datës 20 janar 2023, janë të kundërligjshëm dhe nuk prodhojnë efekt juridik.
Në arsyetimin e vendimit, thuhet se sipas kontratës së punës, Spitali i Përgjithshëm në Pejë, në cilësi të punëdhënëses, me paditësin Muhamet Halitaj në cilësi të të punësuarit, kishin lidhur dhe nënshkruar kontratë për kohë të caktuar më 15 tetor 2020 deri më 14 tetor 2023, në pozitën e drejtorit Mjekësor, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet sikur në kontratë.
Por, gjykata ka vërtetuar faktin e pakontestuar se drejtori ekzektiv i të paditurës, në mbështetje të dispozitës së nenit 16 dhe 22 të Statusit të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, ka shkarkuar paditësin nga pozita e drejtorit Mjekësor në këtë spital dhe e ka sistemuar në Repartin e Psikiatërisë si mjek specialist-psikiatër.
E kjo, me arsyetimin se për shkak të gjendjes së krijuar në këtë institucion shëndetësor, në repartin e Gjinekologjisë, ku më 13 dhjetor 2022, ka lindur një foshnjë e vdekur dhe si pasojë e lënies së foshnjës në hapësira të papërshtatshme, ka përfunduar në rrobalarëse dhe se paditësi si drejtor Mjekësor ka dështuar në mbikëqyrjen dhe kontrollimin e brendshëm, Spitali nxjerrë vendimin e kontestuar.
Por paditësi Halitaj, kishte ushtruar ankesë kundër këtij vendimi në afat ligjor më 27 dhjetor 2022, me arsyetimin se vendimi i drejtorit ekzekutiv i të paditurës është i padrejtë, joligjor dhe diskriminues.
Ndërsa, gjykata me vlerësimet faktike dhe juridike kishte vendosur lidhur me ligjshmërinë e vendimit të kontesuar, me të cilin vendim pasitësi ishte larguar nga detyra e tij si drejtor Mjekësor, duke u mbështetur në dispozitat e neneve 45, 47, 48, 67, 72.1, të Ligjit për Zyrtarë Publikë, dhe erdhi në përfundim se vendimet e kontesuara janë të padrejta dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore të lartcekura dhe kërkesa e paditësit u aprovua.
Sipas vendimit, thuhet se gjykata ka gjetur se e paditura ka dështuar duke bërë seleksionimin e personave përgjegjëse me rastin e largimit të paditësit nga pozita e drejtorit mjekësor, nuk ishte respektuar Organogrami për Sistemimin e Vendeve të Punës, si dhe Rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe sistemimin e vendit të punës.
Është jokontesues fakti se personi përgjegjës sipas këtyre akteve të brendshme është favorizuar apo më mirë të thuhet është amnistuar për rastin në fjalë të ndodhur siç është në rastin konkret Drejtori i Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta, dhe e paditura pa e respektuar apo më mirë të thuhet ka tejkaluar hierarkinë e përgjegjësisë në punë, e nxjerr vendimin e kontestuar që për gjykatën është e padrejtë”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Në vendim thuhet se për gjykatën nuk ka qëndruar pretendimi i të paditurës se paditësi si drejtor Mjekësor, ka dështuar për ta mbikëqyrur punën dhe si pasojë e mosveprimit të tij, ka ardhur deri te vendosja e foshnjës (fetusit) të vdekur në rrobalarëse.
Gjykata ka gjetur se vendimi objekt gjykimi, është nxjerrë në kundërshtim të hapur me ligjin, vendimi i drejtorit ekzekutiv, është nxjerrë në kundërshtim me nenin 48, par.3, të Ligjit për Zyrtarë Publikë, që përcakton se për masa disiplinore nga neni 47, par.1.4, me largim nga detyra, detyrimisht është në kompetencë të Komisionit Disiplinor, e jo të drejtorit ekzekutiv të së paditurës, për çka thuhet se e bëri vendimin e të paditurës si të paligjshëm dhe kërkesa e paditësit duhet aprovuar.
Gjithashtu, në aktgjykim thuhet se gjykata kishte vlerësuar edhe pretendimet e tjera të palëve ndërgjyqëse, se vendimet e kontestuara kanë ardhur si pasojë e bindjeve politike dhe janë diskriminuese, që e paditura e kundërshton këtë pretendim, gjyakta nuk ishte lëshuar fare në arsyeshmërinë e tyre, për faktin se ka konsideruar se me provat e administuara, qartë dhe bindshëm është vërtetuar kërkesëpadia e paditësit dhe nuk u lëshua në arsyeshmërinë e atyre pretendimeve të ngritura nga palët gjatë procesit gjyqësor.
Ndryshe, paditësi Muhamet Halitaj, kishte parashtuar padi më 24 janar 2023, kundër të paditurës Spitali i Përgjithshëm në Pejë, me objekt kontesti anulim i vendimit dhe kthim në vendin e punës.
Sipas padisë, paditësi tek e paditura ka qenë në marrëdhënie pune si drejtor Mjekësor në kohë të caktuar nga 10 tetori 2020, e deri më 14 tetor 2023, në bazë të kontratës Nr.57/7, të datës 15 tetor 2020.
Sipas vendimit të 27 dhjetorit 2022, drejtori ekzekutiv i të paditurës, e shkarkon drejtorin Mjekësor, në këtë rast paditësin nga puna dhe detyrat e punës, dhe e sistemon si mjek specialist në Repartin e Psikiatrisë, duke u mbështetur në dispozitën e nenit 16 dhe 22 të statusit të Spitalit të Përgjithshëm në Pëjë, pas gjendjes së krijuar në spital, përkatësisht vendosjes së foshnjës së lindur i vdekur, në rrobalarëse nga punëtorja përgjegjëse pa dashje.
Ndryshe, lidhur me rastin e foshnjës në rrobalarëse, më 24 dhjetor 2022, Spitali i Pejës njoftoi se janë shkarkuar drejtori Mjekësor dhe ai për Infermieri në këtë Spital.
Kurse, më 23 dhjetor 2022, Spitali i Pejës kishte njoftuar se ka shkarkuar shefin dhe kryeinfermieren e repartit të Gjinekologjisë pas rastit të foshnjën së lindur e vdekur, e cila dyshohet se ishte futur në rrobalarëse nga personeli.
Një ditë më parë (më 22 dhjetor 2022), Ministria e Shëndetësisë (MSH) kishte njoftuar se pas rastit lidhur me foshnjën që u lind pa shenja jete, e që dyshohet se u fut në rrobalarëse në Spitalin e Pejës, është liruar nga detyra ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj.
Po ashtu, lidhur me rastin, katër mami, një pastrues e dy punëtore të shërbimit teknik u suspenduan nga Spitali i Pejës. Kurse, Prokuroria Themelore në Pejë kishte njoftuar se lidhur me rastin e foshnjës, kishte nisur hetimet. /BetimipërDrejtësi
