Ishulli grek kaplohet nga flakët: Mijëra njerëz largohen nga shtëpitë e hotelet

Mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë dhe hotelet në Ishullin Rodos të Greqisë, pasi ishulli është kapluar nga zjarret.

Anijet private dhe ato të marinës greke i janë bashkuar rojeve bregdetare greke për të ndihmuar në marrjen e njerëzve nga plazhet e ishullit.

Pesë helikopterë dhe 173 zjarrfikës po operojnë në zonë, ndërsa tre hotele në zonën e Kiotarit raportohet se janë dëmtuar nga zjarri.

Një pushuese britanike tha se ishte evakuuar nga hoteli ku po qëndronte me motrën dhe vajzën e saj, por tani ishte ngecur në një plazh me qindra të tjerë në vapën e madhe.

“Këtu ka vetëm një kasolle të vogël dhe ka shumë njerëz. Ka fëmijë, është mesi i ditës, ne kemi ngecur këtu pa asnjë ndihmë, është e neveritshme”, tha Becky Mulligan, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa, Greqisë po i dalin në ndihmë edhe zjarrfikësit nga Sllovakia, të cilët kanë mbërritur në Rodos, për t’i ndihmuar ekipet lokale.

“Situata në Rodos është serioze dhe jashtëzakonisht e vështirë. Për shkak të erës së fortë dhe ndryshimit të shpejtë të drejtimit të zjarrit, zjarrfikësit u detyruan të tërhiqeshin dhe të lëviznin”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Sllovak të Zjarrfikësve.

Greqia po përballet me nxehtësi të mëtejshme intensive këtë fundjavë, me meteorologët që paralajmërojnë se temperaturat mund të rriten deri në 45 gradë Celsius.