Janë bërë pesë vjet prej se veprimtari dhe intelektuali Adem Demaçi, ka shkuar në amshim.
E në nderim të tij kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe tek varri i tij.
Kurti tha se është krenar që ka punuar me të dhe ka mësuar prej tij.
“Jeta dhe vepra e bacës Adem, idetë dhe udhëzimet e tij, na mbushin me përgjegjësi dhe vetëbesim njëkohësisht”, tha Kurti.
Ndërkaq Konjufca tha se Demaçi ishte frymëzim për brezat e rinj.
“Sakrifica dhe veprimtaria e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme edhe tek ne që jetojmë sot dhe që e përfaqësojmë Republikën e Kosovës institucionalisht”, tha Konjufca.
Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vite me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik.
Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.
Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995.
Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov.
Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.
Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).
