Prokurorët rusë i kanë kërkuar një gjykate të Moskës që të dënojë kritikun e Kremlinit Vladimir Kara-Murza me 25 vjet burg për vepra penale që përfshijnë tradhti, përhapjen e “lajmeve të rreme” për ushtrinë ruse dhe lehtësimin e aktiviteteve të një organizate të padëshirueshme, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti.
“Sot pati një debat… prokurori kërkoi 25 vjet burg”, tha avokatja e të akuzuarit.
Kara-Murza, avokati i shquar i të drejtave të njeriut dhe kritik i Kremlinit, është burgosur në Moskë për gati një vit pasi foli kundër luftës në Ukrainë. Ai ka qenë kritik ndaj Presidentit Vladimir Putin dhe u ka mbijetuar dy helmimeve.
Në mars 2022, Kara-Murza foli para Dhomës së Përfaqësuesve të Arizonës kundër luftës dhe në një intervistë me CNN në prill 2022, e quajti qeverinë e Putinit “një regjim vrasësish”. Ai u arrestua menjëherë pas kësaj për “mosbindje ndaj urdhrave të zbatuesve të ligjit”.
Seanca e së enjtes u mbajt në Gjykatën e Qytetit të Moskës me dyer të mbyllura, pasi çështja u quajt “tepër sekrete”.
Në mars, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj një numri individësh rusë të lidhur me ndalimin arbitrar të Kara-Murza-së dhe bënë thirrje për “lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të tij”.
